Secondary Adv

Të ardhurat buxhetore rriten me 11.7 për qind në tetëmujor, 1/3 e shtesës nga ndërtimet e reja

Të ardhurat totale të buxhetit arritën në rreth 557.6 miliardë lekë gjatë periudhës janar-gusht 2026, duke u rritur me 58.5 miliardë lekë ose 11.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rreth 30 për qind e të ardhurave shtesë erdhën nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, e lidhur me aktivitetin e ndërtimeve të reja.


Sipas të dhënave paraprake të performancës fiskale, të ardhurat e arkëtuara nga administratat tatimore dhe doganore arritën në 356.5 miliardë lekë, me një rritje prej 25.1 miliardë lekësh ose 7.6 për qind krahasuar me tetëmujorin e vitit 2025.


Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore arritën në 191.6 miliardë lekë, 10.5 për qind më shumë se një vit më parë. Të ardhurat neto nga TVSH-ja në vend ishin 56.8 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 24.2 për qind, ndërsa nga tatimi mbi fitimin u arkëtuan 38.6 miliardë lekë.


Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 65.5 miliardë lekë, 15.5 për qind më shumë se në janar-gusht 2025, duke realizuar 99.2 për qind të planit. Nga taksat nacionale u arkëtuan 30.6 miliardë lekë, me rritje 1.3 për qind në terma vjetorë dhe realizim 1.5 për qind mbi planin.


Sigurimet sjellin 134.1 miliardë lekë

Nga fondet speciale, ku përfshihen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, u mblodhën 134.1 miliardë lekë. Të ardhurat u rritën me 13.4 për qind krahasuar me tetëmujorin e vitit të kaluar dhe arritën në 100.4 për qind të planit.


Në administratën doganore, të ardhurat tatimore arritën në 165 miliardë lekë, 4.4 për qind më shumë se një vit më parë, por me realizim prej 98.4 për qind të planit. TVSH-ja në import solli 108.5 miliardë lekë, me rritje 4.2 për qind, ndërsa realizimi ndaj planit ishte 97.6 për qind.


Nga akciza u arkëtuan 48.3 miliardë lekë, 4.5 për qind më shumë në terma vjetorë dhe 100.2 për qind e planit. Renta minerare në eksport arriti në 1.3 miliardë lekë, me realizim 103.7 për qind të planit, ndërsa taksat doganore sollën 6.8 miliardë lekë, 9.1 për qind më shumë se një vit më parë dhe 97.8 për qind e planit.


Shpenzimet publike arrijnë në 496 miliardë lekë

Shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën janar-gusht 2026 arritën në rreth 496 miliardë lekë, duke u rritur me 8.2 për qind krahasuar me një vit më parë.


Shpenzimet kapitale arritën në 56.7 miliardë lekë, ose 86.3 për qind e planit të periudhës. Krahasuar me tetëmujorin e vitit të kaluar, ato u rritën me 12.2 për qind, ose rreth 6.2 miliardë lekë.


Shpenzimet korente arritën në rreth 439.3 miliardë lekë, me realizim prej 97 për qind të planit. Në terma vjetorë ato u rritën me 7.7 për qind, ose rreth 31.3 miliardë lekë. Fondet speciale përbënë 42.8 për qind të totalit të shpenzimeve korente.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat